TIRANË 12 tetor /ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.

Takimi u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë dhe kishte në fokus të tij çështje rregullatore të bashkëpunimit midis dy institucioneve si dhe diskutime mbi shqetësime të hasura gjatë punës së institucionit të Avokatit të Popullit ne lidhje me garantimin e te drejtave të njeriut ne vend.

Ndër temat e diskutuara  u theksua nevoja për një adresim urgjent të çështjes së mungesës së një spitali forensik në Shqipëri, për të garantuar trajtim te personave me probleme të shëndetit mendor, në përputhje me standardet.

Ministri dhe Avokatja dakordësuan si prioritare edhe çështjen e kushteve të trajtimit të personave të  akomoduar në Institucionin e veçantë të ekzekutimit të vendimeve penale në Zahari, Krujë.

Zgjidhja e problematikave te ofrimit të ndihmës juridike falas për qytetarët në nevojë dhe çështje të zbatimit efektiv të reformës në drejtësi, patën fokusin e tyre gjithashtu.

Të drejtat e njeriut dhe zbatimi efektiv i tyre do të jenë në qendër të bashkëpunimit efektiv midis dy institucioneve në vijimësi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.