Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Mëno Gjoleka – figurë emblematike e bujqësisë shqiptare

Kastriot Rexhepi*

Në zhvillimet e bujqësisë shqiptare gjatë shek. XX, e deri në kohët tona, mjaft specialistë, dijetarë e shkencëtarë, kanë vënë përpjekjet dhe zotësinë e tyre në rritjen e prodhimit bujqësor dhe marrjen e rendimenteve, të cilat shpeshherë krahasohen edhe me disa vende të përparuara të Evropës, si dhe vende të tjera të botës.

Një plejadë e tillë specialistësh e shkencëtarësh të bujqësisë shqiptare, si: Gaqo Tashko, Abedin Çiçi, Teki Tartari, Xhelo Murraj, Mentor Përmeti, Ahmet Osja, Velesi Peçuli, Sherif Lushaj, Hysen Çobani, Vasfi Samimi, Hysen Laçej, Luan Muhameti, Ejup Mita, etj., me përpjekjet e tyre të mëdha, eksperimentet shkencore, mekanizimin dhe zgjedhjen e farërave, trajtimin e tokës si “nënë”, krijuan një përvojë të rrallë, ku bujqësia u ngrit në nivele evropiane e moderne.

Një nga këto figura emblematike të bujqësisë shqiptare ishte edhe agronomi doktor i shkencave, Mëno Gjoleka, i cili la gjurmë të thella në ekonomitë bujqësore në Dukat, Brataj, Gjorm, Tragjas, Radhimë, Panaja, Cerkovinë, Nartë, Orikum si dhe Stacionin Bujqësor të Vlorës. Pas mësimeve në vendlindje, ai vazhdoi shkollën në Skelë (Vlorë) me mësuesin erudit, Janko Pali, më pas shkollën e mesme e të lartë në Institutin Bujqësor të Kamzës. U emërua specialist e kryespecialist i bujqësisë në disa ekonomi të rrethit të Vlorës. Kreu edhe specializimin në Agropedologji në IL Kamzë, përfundoi edhe Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Qysh në vitet 1956-1962, fort i ri, Mëno Gjoleka ishte edhe një sportist i njohur, portieri i ekipit të futbollit “Flamurtari”. Shpesh në biseda me të, më tregonte: “Isha tepër i përqendruar në pritjen e penalltive në portë. Nga gjashtë penallti, pesë prej tyre i kam pritur. Ata ishin emra të nderuar të futbollit shqiptar si: Panajot Pano, Bakalli i Shkodrës, Miço Ndini, Skënder Jareci. Një herë, Panajot Panua më tha: – Mëno, e admiroj intuitën tënde në portë, prandaj nuk gjuaj më në krahun tënd të majtë…”.

Mëno Gjoleka u zgjodh edhe kryeredaktor i gazetës së Studentëve “Bujku i Ri”, si dhe sekretar i shoqatës shkencore të studentëve, të Kamzës.

Mëno Gjoleka ishte agronom me dije të thella shkencore, krahas përvojës së vendit, studionte edhe literaturë të huaj, në gjuhën italiane e angleze. Disa vite dha mësim lëndët Biologji dhe Agronomi, në shkollën e mesme “Laze Nuro” të Bratit, ndërsa në vitet 1978-1982, ligjëroi në lëndën “Financë agrare”, të Filialit të Universitetit të Vlorës.

Ai kishte një pasion të çuditshëm për literaturën artistike e atë shkencore, pranë librave të tillë si “Agropedologjia”, “Bimët e arave”, “Bujqësia intensive dhe ekstensive”, “Gruri dhe varietetet e tij”, “Shkripëzimi i tokave të Myzeqesë”, mbante edhe librat “Revizori” i Gogolit, “Kthimi nga Shtetet e Bashkuara” të Ilia Erenburgut, dhe sidomos romanet e Petro Markos, Jakov Xoxës, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit. Poezitë e Ali Asllanit ai i dinte përmendësh dhe shpesh u fliste fshatarëve për zotësinë e tij si kryetar bashkie dhe poet.

Me kulturën e tij të gjerë profesionale, ai u bë një nga specialistët më të spikatur në trevën e Vlorës, për futjen e të rejave shkencore në bujqësi, për rritjen e prodhimit të drithërave të bukës, perimeve, frutikulturës, vreshtarisë e sidomos shërbimet ndaj ullirit. Përvoja e tij shkencore u përkrah edhe nga Ministria e Bujqësisë, e cila e aktivizoi atë edhe në ekonomi të tjera të vendit; në Tiranë, Korçë, Lushnje, Fier, e Librazhd e Dibër. Nën drejtimin e tij u krye për disa vite me radhë edhe studimi agro-pedologjik i tokave të Vlorës, ku përcaktoi me analiza dhe studime veçoritë e tokave bujqësore dhe mbjelljen e bimëve bujqësore.

Një punë të veçantë shkencore, ai zhvilloi për sistemimin e tokave në parcela, sistemin ujitës e kullues të tyre, mbi 700 ha. në Dukat, u ndërtua vepra ujitëse, kanali vaditës Tragjas-Dukat mbi 7 km. vepër ujitëse që ndikoi shumë në rritjen e rendimenteve në bujqësi e blegtori. Studimi i tij shkencor “Për vënien në prodhim të tokave gurishtore të Dukatit”, apo projekti madhor “Shkripëzimi i tokave në Akërrni e Myzeqe”, bënë të mundur që brenda pak viteve, të përfshiheshin mjaft toka djerrë e të viheshin nën prodhimin e kulturave bujqësore. Mëno Gjoleka ishte specialist bujqësie, intelektual, por edhe polemist, duke i çelur shtigje mendimit të ri shkencor e përparimtar në bujqësi.

U desh këmbëngulja e tij në Ministrinë e Bujqësisë, për të përcaktuar projektin e shkripëzimit të tokave të Akërrnisë dhe tokave moçalore në Myzeqe. Ishte guximi i tij intelektual që ngriti problemin e krijimit të një qyteze të re, me arkitekturë e planimetri, si Akërrnia, edhe u bë një qendër e rëndësishme bujqësore, duke përfituar mijëra hektarë tokë.

Konsultat, bashkëbisedimet dhe letërkëmbimet e tij me personalitete të shquara të bujqësisë shqiptare si: Abedin Çiçi, Teki Tartari, Ahmet Osja, Hysen Çobani, apo Xhelo Murraj nxjerrin në pah përkushtimin e tij për vënien e bujqësisë mbi baza shkencore e agro-pedologjike. Akademik Teki Tartari në artikullin e tij “Mëno Gjoleka, një personalitet i shquar i bujqësisë shqiptare” shkruan: “Qysh kur ishte student në Institutin Bujqësor të Kamzës, miku im, Vasfi Samimi, më pat thënë, se Mëno Gjoleka më ka mahnitur me kulturën e tij të thellë, me zgjuarsinë dhe përkushtimin ndaj dijeve shkencore… Kjo më bëri që të kisha një vëmendje të veçantë për këtë specialist të talentuar. Debatet e diskutimet e tij dëshmonin se ai thellohej në shfrytëzimin e literaturës shqipe dhe të huaj, duke mençuruar veten me dituri. Me Mëno Gjolekën pata marrëdhënie e bashkëpunim të ngushtë. Me punën dhe talentin e tij, vura re se ai u rrit e u kualifikua, duke u bërë një specialist i zoti, një studiues e shkencëtar me vlera kombëtare…”.

Duke folur për shpirtin atdhetar, humanizmin e thellë dhe kontributin e Mëno Gjolekës në bujqësinë shqiptare, shkencëtari Abedin Çiçi, e ka përcaktuar atë me fjalët: “Mëno Gjoleka përfaqëson bujqësinë moderne shqiptare në rrënjën e saj, në terren, atje ku është laboratori dhe Instituti i vërtetë shkencor i saj…”.

Shpeshherë në vitet ’80, e kisha takuar edhe vetë Mëno Gjolekën në ekonominë bujqësore të Mavrovës dhe të Kotës, kur vinte me prof. Xhelo Murrën, Abedin Çiçin, Sherif Lushajn, Resmi Osmanin, Ejup Mitën, Llano Llanajn e mjeshtër të tjerë të bujqësisë. Sa e sa specialistë të bujqësisë, kanë përfituar nga debatet e diskutimet shkencore të tij, nga këshillat dhe mendimet, për t’i dhënë shoqërisë vlera të reja në rrugën e qytetërimit dhe përparimit.

Pas viteve ’90, me rënien e sistemit totalitar, më 24 janar 1991, Mëno Gjoleka, së bashku me një grup intelektualësh e specialistësh të bujqësisë në Institutin e Ullirit dhe Stacionin Agro-pedologjik, themeluan kërtinë agrare shqiptare, ku ai ishte kryetar i komitetit nismëtar. Në valën e mendimit të ri pluralist, Partia Agrare Shqiptare i shtriu degët e saj në 26 rrethe të vendit.

Përkrahja e specialistëve dhe intelektualëve të bujqësisë, bëri të mundur që në zgjedhjet e para demokratike Partia Agrare Shqiptare, të përfshihej në koalicionin e Qeverisë së Stabilitetit. Deri në vitin 1992, dr. Mëno Gjoleka ishte ndër intelektualët më aktivë, për zhvillimin e proceseve demokratike dhe vendosjen e pluralizmit në jetën shqiptare.

Më 24 maj 1992, u thirr Kongresi i PASH, ku u zgjodhën organet drejtuese të kësaj partie, ku Mëno Gjoleka u zgjodh kryetar nderi, ndërsa prof. Lufter Xhuveli, një personalitet tjetër i bujqësisë, u zgjodh kryetar i Partisë. Gjatë viteve në krye të Partisë Agrare Shqiptare, krahas degëve të saj që u krijuan në çdo rreth të vendit, Mëno Gjoleka pati bashkëpunim e marrëdhënie edhe me mjaft personalitete e parti simotra në vende të ndryshme të Evropës: Rumani, Bullgari, Greqi, Turqi, Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Poloni e gjetkë.

Një kontribut të çmuar, dr. Mëno Gjoleka dha edhe pranë qeverisë shqiptare, duke sugjeruar mendimet e tij me platforma e programe, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera të Evropës. Pas vizitës që ai dhe delegacioni i PASH bënë në Greqi, në prill 1991, hartoi një program për organizimin e bujqësisë shqiptare, ku përcaktonte edhe rolin e Ministrisë së Bujqësisë, organizimin e institucioneve shkencore, arsimin bujqësor, shkallën e mekanizimit dhe investimet, marrëdhëniet fiskale midis shtetit dhe pronarëve të bujqësisë, zhvillimin dhe rajonizimin e blegtorisë.

Sipas problemeve që ngriti Mëno Gjoleka në mbledhjet e qeverisë, u zhvilluan edhe debate e diskutime mbi pronësinë e tokës, politikat e çmimeve për produktet bujqësore dhe rolin e shtetit, emigrimin e brendshëm të popullsisë, e mbi të gjitha edhe aspektet sociale të fshatit, çelja e rrugëve të reja dhe ndërtimi i tregjeve bujqësore e blegtorale, prodhimin e farërave e mekanizimin e bujqësisë.

Duke u mbështetur në këtë përvojë të gjerë ai hartoi edhe “Strategjinë e Gjelbër”, me titull “Mbi strategjinë e zhvillimit të bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri”, të cilën ia bëri prezent qeverisë shqiptare më 7 prill 1998, ku shtron një varg çështjesh të rëndësishme për ta vënë bujqësinë shqiptare në shërbim të zhvillimit bashkëkohor ekonomik e turistik.

Mendimi intelektual e shkencor i Mëno Gjolekës për bujqësinë shqiptare, zhvillimet politike, demokratike e kombëtare të vendit tonë shpërfaqen edhe në një varg intervistash e shkrimesh në shtypin tonë bashkëkohor, në revistën “Bujqësia”, gazetën “Koha Jonë”, “Progresi Agrar”, “Shekulli”, “Panorama” etj., në të cilat ai kërkonte që edhe shqiptarët të përfitonin sa më shumë nga pluralizmi i ideve dhe hapja e Shqipërisë me botën e sidomos atyre të Mesdheut.

Trashëgimia kulturore, shkencore, politike dhe atdhetare që la pas dr. Mëno Gjoleka, gjersa mbylli sytë në qershor 2003, dëshmojnë qartë për një personalitet të shquar e emblematik të shkencës dhe bujqësisë shqiptare, që duhet nderuar e respektuar përherë.

*Emigrant – Londër

Londër, nëntor 2021