MOSKË, 18 tetor /ATSH-DPA/ – Gjigandi rus i energjisë, Gazprom, njoftoi sot se kishte rritur vëllimin e eksportit të gazit natyror gjatë nëntë muajve e gjysmë të parë të vitit.

“Vetëm vëllimi i dorëzuar në Gjermani është rritur me 28,2 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha kompania.

Sipas saj, një total prej 152,2 miliardë metra kub gaz u eksportuan në vendet jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, duke arritur një rritje prej 13,1 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Gazprom publikoi shifrat e tij në mes të shqetësimit global për çmimet e larta të gazit.

Rusia ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat e BE-së se ka abuzuar me fuqinë e saj në treg për të rritur koston e gazit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.