Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujton Mid’hat Frashërin

TIRANË 28 nëntor /ATSH-I.Vata/-  Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot Mid’hat Frashëri, një nga personalitete që shoqëronte Ismail Qemalin drejt Vlorës, në ngritjen e flamurit 109 vite më parë.

Mid’hat Frashëri, i njohur gjithashtu me emrin e penës Lumo Skëndo, lindi më 25 mars 1880 në  qytetin e Janinës. I biri i Abdyl Frashërit, veprimtarit rilindas dhe diplomatit të shquar. U rrit në Stamboll pas vdekjes të së atit nga të ungjit, Naim dhe Sami Frashëri, të cilët mbrujtën tek ai ndjenjat kombëtare.

Në rininë e tij ishte nëpunës i Perandorisë Osmane. Caktohet me punë në Selanik, aty ku nis të botojë gazetën “Lirija” ku bëntë thirrje për bashkim kombëtar. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit në nëntor 1908 dhe luan një rol themeltar si kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i komisionit për alfabetin. Në nëntor të 1912 shoqëron Ismail Qemalin drejt Vlorës sëbashku me shumë patriotë të tjerë. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit, Mid’hat Frashëri caktohet ministër i Punëve Botore. Është pjesë e delegacionit që mirëpret Princ Vidin në Shqipëri dhe caktohet në kabinetin e ri si ministër i Punëve Botore dhe Telegrafit.

Pas kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, u largua fillimisht në Itali dhe më pas në Gjenevë të Zvicrës. Nga mesi i Luftës së Parë Botërore, autoritetet rumune e internuan në Moldavi, por më 23 mars 1918 arriti të lirohej dhe u vendos prapë në Bukuresht, si delegat i qeverisë së dalur nga Kongresi i Durrësit. Në janar 1923 kreu detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë deri në dhjetor të vitit 1925. Shquhet në këtë detyrë për interesin e madh karshi çështjes çame.

Tërhiqet nga jeta politike dhe i përkushtohet botimeve dhe erudicionit duke hapur në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”. Në testamentin e tij thuhet se e gjithë pasuria do t’i dhurohej post mortem shtetit shqiptar për të ngritur një Institut Albanologjie.

Rikthehet në politikë me pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Themelues i lëvizjes Balli Kombëtar si kundërshtar i vendosjes së komunizmit në Shqipëri dhe përçues i idesë së Shqipërisë së Madhe. Pjesëmarrës në Mbledhjen e Mukjes. Largohet nga Shqipëria më 1944 për të vazhduar aktivitetin e tij politik në SHBA. Ndërron jetë pas një ataku kardiak më 1949 në Nju Jork.

Regjimi komunist mohoi shumë nga kontributet e tij. Biblioteka e tij me 40.000 vëllime, më e madhja në të gjithë Shqipërinë asokohe u sekuestrua pas ardhjes së komunistëve në pushtet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.