TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Myrto Uzuni është rikthyer te goli me skuadrën e Ferencvarosh në Hungari.

Sulmuesi shqiptar ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës, në ndeshjen e zhvilluar kundër Tokolit, e vlefshme për Kupën e Hungarisë.

Uzunit i është besuar ekzekutimi i dy penalltive, në të cilat shqiptari është treguar mjaft i saktë, duke mposhtur dy herë portierin kundërshtar brenda katër minutave. Ferencvaroshi po fitonte me shifrat 0-1, teksa dy golat e beratasit në minutat 15-të dhe 19-të e dërguan rezultatin e ndeshjes në 0-3.

Sulmuesi kuqezi u aktivizua në të gjithë lojën, teksa paraqitja e tij e mirë me klubin hungarez janë një lajm i mirë në prag të ndeshjeve që Kombëtarja shqiptare do të luajë në muajin nëntor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.