PRISHTINË, 27 tetor/ATSH/- Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim sekretaren e përgjithshme të OSBE-së Helga Schmidt, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit.

Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me misionin e saj në Kosovë, si reflektim i vlerave të përbashkëta të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit.

Ajo shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe përsëriti qëndrimin se reformimi i sistemit të drejtësisë, punësimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë do të vazhdojnë të jenë prioritet për institucionet e saj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.