TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i shoqëruar ngashefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, priti në një takim komandantin e Qendrës së Bashkuar Operacionale Ajrore të NATO, gjenerallejtënant Fernando De La Cruz Caravaca, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ministri Peleshi falënderoi gjeneral Caravaca për punën që ai dhe stafi i tij bëjnë për vëzhgimin dhe policimin e hapësirës ajrore të NATO-s dhe në veçanti, falënderoi fqinjët tanë, Italinë dhe Greqinë për kontributin e dhënë për policimin e hapësirës ajrore të vendit tonë.

Më tej, ministri i Mbrojtjes e njohu gjeneral Caravaca mbi ecurinë e projektit të Bazës Ajrore Kuçovë, si dhe  projektet e tjera të modernizimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me Forcën Ajrore, me fokus të veçantë në funksionimin e Radarit të Midës.

Nga ana e tij, gjeneral Caravaca e siguroi ministrin Peleshi se personeli i Qendrës së Bashkuar Operacionale Ajrore të NATO-s do të vijojë kryerjen me përkushtim të misionit, për të qenë në lartësinë e sfidave me të cilat përballet NATO.

Gjithashtu, gjeneral Caravaca shprehu gatishmërinë të mirëpresë angazhimin e vendit tonë, që nëpërmjet Radarit të Midës, të kontribuojë në krijimin sa më të plotë të pamjes së përbashkët të hapësirës ajrore të Aleancës.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.