Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Prefekti i Lezhës për ATSH: Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Në bashkitë e Lezhës dhe Kurbinit niveli i ujërave në lumenj dhe sistemin kullues si pasojë e reshjeve është mbi kuotat mesatare, po pa probleme të prezencës së ujit në sipërfaqet e tokës bujqësore.

Kështu u shpreh sot në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut Lezhë, Gjok Jaku, ndërsa informoi mbi situatën e shkaktuar nga reshjet.

Sipas tij, “gjatë 24 orëve të fundit në zonat e ulëta dhe bregdetare ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, të cilat vijojnë edhe tani, kurse në zonat malore në lartësitë mbi 1000 metra ka reshje të dëborës”.

“Sasia e reshjeve në territorin e bashkisë Lezhë është rreth 45 mm dhe në territorin e bashkisë Kurbin është rreth 65 mm. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave nga basenet e tyre, duke ruajtur nivelin e kuotave”, tha ai.

Ndërkohë, në bashkinë Mirditë ka reshje të shirave rreth 50 mm, kurse në lartësitë mbi 1000 m ka reshje të dëborës, pa probleme për bllokimin e rrugëve rurale dhe ato bashkiake.

Jaku tha se “rrugët nacionale dhe Rruga e Kombit është e kalueshme pa probleme”.

“Furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm është pa probleme. Rezervuarët po monitorohen për prezencën e ujit në basenin e tyre dhe sigurinë e digave”, shtoi ai. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.