Albania

“Qeveria ka përballë një opozitë, në njërin krah të së cilës kura është më e keqe se vetë sëmundja, ndërsa në krahun tjetër nuk ka as emër, as ide e as vizion”

Bedri Islami

Një gjë është e sigurtë tashmë, opozita është në gjendje të sëmurë. E deformuar dhe në luhatjen mes dy rrugëve, ku asnjëra prej tyre, e vetme, nuk e çon drejt pushtetit, por, për më tepër, as drejt reformimit të saj.

Lideri i djeshëm i opozitës, Berisha afron kurën e tij. Për fat të keq, kura është më e rëndë se sa vetë sëmundja. Më e padobishme dhe e provuar disa herë. Në kahun tjetër, ajo që afron Basha nuk ka as emër, as ide, e as vizion.  Është një përpëlitje kaotike, mbështetur nga një grumbull njerëzish pranë tij, të cilët, më tepër se gjithçka, duket se i ka thirrur si mburojë në përpjekjet që do të ketë në të ardhmen, se sa si mendimtarë për të formuar një rrugë të re.

Paradoksi është i dyfishtë: I pari,  baza e partisë më të madhe opozitare, ndoshta 70 për qind e saj mbështet lëvizjen e Berishës, si një ecje politike e durueshme dhe e furishme, që mund të bëjë diferencën. Ndërsa strukturat e partisë, të zgjedhura apo të emëruara,  ndoshta më shumë se 50 për qind e tyre, mbështetin ecurinë politike, pa plan e pa formë, të Bashës. Dy lëvizje drejtvizore brenda llojit të njëjtë, të cilat kundërshtojnë njëra tjetrën, pa patur një pikë takimi.

Faqja e parë e gazetës 12/10/2021

Paradoksi i dytë është se kjo përplasje ndodh në të njëjtën kohë kur shumica qeverisëse ka programuar lëvizje politike dhe financiare , të cilat do të ndikojnë në mirëqenien e njerëzve të zakonshëm dhe, kundërshtimi qytetar ndaj tyre, do të jetë sporadik, i pafuqishëm, i përcjellë përmes dy zërave që tashmë e kanë ndarë rrugën me njëri-tjetrin dhe përballjen me Edi Ramën do e kenë më shumë si shenjë devotshmërie, se sa besimi për të rifituar besimin.

Pak kush ka pasur besim te Basha si lider, e ndoshta edhe si njeri. Tashmë besimi është drejt pikës kritike, pra ngrirjes dhe në një betejë askush nuk mund të ndjehet i sigurtë nëse besimi te lideri ka humbur. Pas asaj që ndodhi mes Bashës e Berishës, pavarësisht nëse ishte një goditje e drejtë apo jo, e imponuar ose jo, e domosdoshme apo gjetje e çastit, cilido në opozitë mund të jetë nesër shenja e goditjes së tij. Në fakt, edhe më parë, ishin dhënë shenjat e pabesisë politike, duke larguar nga radhët e opozitës figura të njohura, dhe këtu unë jam dakord me largimet, por jo me mënyrën bizare, e tani, ajo që ndodhi me “ babain” e tij shpirtëror, njeriun që e mori për dore nga zyrat e UNMIK-ut në Kosovë dhe e bëri tri herë ministër, plaçkiti votat për ta bërë kryebashkiak të Tiranës, është shenja e fundit, pas së cilës kushdo e di se besimi po ngrinë përfundimisht.

Opozita me Bashën është e humbur edhe në mandatin e katërt të Edi Ramës, por e humbur është edhe me lëvizjen e Berishës, që, duhet thënë, nuk është katarsis, dhe mund të jetë vetëm shkundje. Opozita ka nevojën e katarsit, jo të shkundjes. Lëvizjet e tashme brenda saj nuk sjellin frymëzim të ri, as vizion tjetër nga çfarë ishte më parë. Kanë krijuar një rreth qarkullim, ku gjërat e nisura nga pika zero kthehen përsëri në atë pikë. Nga lëvizjet drejtvizore nuk ka asnjëherë zhvillim, aq më tepër vizion kohor, të qartë e frymëzues. Çfarë ndodh: lëvizjen e Berishës , ashtu si është, pjesa e mbetur nën hyqmin e Bashës e quan si frymëzim ish drejtorësh e funksionarë të larguar të kohës së Berishës, ndërsa pjesa tjetër e trajton opozitën zyrtare si pjesës e qarkut të zgjedhur nga Basha për të shërbyer e jo për të ndërtuar strategjinë e duhur.

Përse kura e doktor Berishës është më e rëndë se sa vetë sëmundja dhe, duhet qartësuar, përse sëmundja e rënduar nga politika pa ide e Bashës kërkon një kurë të fuqishme?

Kura e dhënë sot nga ajo pjesë e opozitës, që lehtësisht mund të quhet berishiste, është në të drejtën e saj, megjithëse e vonuar. Pesë humbje në zgjedhjet politike e vendore duhet ta kishin shkundur mirë lidershipin e opozitës, e më tej, duhet ta kishin larguar atë. Ricikilmi I tyre përmes sloganit bajat, “Rama i ka fajet” , e më tej, “Rama ik”, në fakt ka sjellë fuqizimin e shumicës qeverisëse, ka bashkuar militantët e majtë, që, edhe pse të lodhur nga 8 vite qeverisje kaotike, qëndruan në të njëjtën llogore politike. Strategjia e Bashës nuk ka pasur kurrë strategji brenda vetes, nuk ka qenë koshiente se përballë saj ka një amalgamë të fuqishme politike, që nga të fortët, oligarkët politikë e financiarë, mitingashë dhe militantë, që kurrë nuk u frymëzuan nga vija politike e Bashës. Nëse dikush mban mend, edhe pas 8 viteve të drejtimit të Bashës në PD, një devizë të ngulitur e frymëzuese, ai do të jetë përjashtim nga rregulli. Basha është provuar gjithë andej: edhe në të ftohtin e politikës, edhe në afshin e dashurisë me Ramën, maj 2017; është provuar edhe në diskurset politike, edhe në braktisjen e parlamentit; edhe në fjalimet plot pathose e pa ide të qarta, edhe në zgjatjen e zanoreve kur këndonte himnin kombëtar. Në të mirë e në të keq është provuar, por asgjë nuk ka ndryshuar. Ama, edhe pse duket i brishtë, ai ka vendosur hijen e tij mbi atë pjesë të strukturave që zotëron. Fakti që në një qytet si Shkodra, në foltoren e Berishës, as për kortezi, nuk merr pjesë asnjë deputet, asnjë anëtar i kryesisë së partisë apo funksionar bashkiak i nivelit të lartë, kur pikërisht në këtë qytet Berisha ka pasur zenithin e tij, nuk është në dobi të konceptimit real të politikës, por shenjë e përmbysjes së saj. Diktati i heshtur i Bashës është i njëjtë me diktatin e shpallur të Berishës. Në Shkodër më dukej se u shfaq hija e Eduard Selamit kur i treguan derën e mbyllur të partisë së tij, ndërsa Berishës ia mbyllnin portën dishepujt e djeshëm të tij. Koncept i përmbysur i demokracisë.

Kura që afron Berisha nuk e shëron sëmundjen e opozitës. Deri tani duket më shumë si një zemërim idhnak vetanak, se sa një lëvizje politike e frymëzuar nga ide të hapjes së opozitës, rrëmbimit të mendimit të ri politik e një frymëzimi aktual.

Ndoshta është koha të saktësohet në diskursin e tij politik vizioni – nëse ka një tillë; perspektiva e lëvizjes së tij politike – nëse ka një cak; qëllimi politik jashtë vetes Berisha – nëse e ka menduar; koha për të gjetur një figurë apo shumë figura frymëzuese – të cilët mund të jenë më të besuar edhe nga dy përleshësit e tanishëm.

Nëse Berisha synon të rikthejë opozitën e fillimit të gjërave ndryshuese, ai duhet ta bëjë këtë përmes njerëzve e jo përmes vetes. I shpalluri “ non grata” nga Departamenti I Shtetit nuk mund të ngritë një forcë politike pro perëndimore, kur ai vetë nuk është i besuar nga thelbi I demokracisë. Rikthimi në Fillesë kërkon brez të ri politik, e nuk është e mjaftueshme vendosja e figurinave pas shpinës së tij në foltoret e një pas njëshme, por tërheqja e vizionit të tyre. Sëmundja e opozitës nuk ka dobi nga kura e doktor Berishës. Nuk do të jetë e largët dita kur ai do e kuptojë se shpallja e tij non grata, më tepër se me vëzhgimet e institucioneve ndërkombëtare, mund të ketë lidhje edhe me qarjet e ankimet e Bashës, sipas të cilit, në kontaktet me diplomatë të lartë euro atlantikë, hija e Berishës po bëhej e frikshme dhe duhej ndaluar. Ishte alibia e tij ndaj marrëzive politike të një pas njëshme, që ndërmori vetë dhe nuk arriti t’i mbronte.

Nëse Berisha dhe Basha do të donin një forcë politike të reformuar, ata do të kishin bërë një pakt politik : të iknin të dy, njëri drejt vilës së tij luksoze në Gjirin e Lalzit dhe të shkruante kujtimet, nëse koha do të ishte e mjaftueshme; tjetri drejt Holandës, shtetësinë e së cilës e ka më shumë se gjysma e familjes së tij. Ndoshta ky do të ishte fillimi I një reformimi. Por, askush të mos e presë se mund të ndodhë. Basha do të vazhdojë të mjelë edhe pikën e fundit të qumështit që rrjedh nga trasnia e opozitës mbi biznesin, ndërsa Berisha do të përpiqet të ruajë me çdo kusht atë “ qumësht blete” që kanë mbledhur pinjollët e tij harbutërisht. Si njërit, edhe tjetrit, lideri është mburoja e së ardhmes.

Ndërkohë që dy miqtë – armiq përleshen me njëri-tjetrin, vendi po futet në një krizë të re financiare, që mund të jetë më e ashpër dhe më e rëndë se sa pandemia dhe goditjet e tërmetit. Mund të jetë shkundje e xhepave dhe depozitave të qytetarëve, të cilat i ka aq shumë në merak shefi i qeverisë t’i çojë drejt zeros.

Një opozitë kësisoj është anti makthi i çdo qeverie, shansi i saj të qeverisë përmes autokracisë dhe, më tej, drejt babëzisë.

Të duket sikur me vite ka mbjellë shumica qeverisëse sherrin mes dy miq – armiqve për ta pasur si shenjë qetësimi në këtë ditë.

Nuk e di ende se cili nga këto të dy miklohet nga Edi Rama….

Football news:

Gary Lineker: I don't understand why Lacazette doesn't play anymore. Probably there must be a reason, but I don't see it
Infantino about the World Cup every 2 years: The pros are obvious. When it was decided to hold it once every 4 years, there were 40 teams, and now 211
Arteta on 2-2 with Crystal Palace: Arsenal dominated at the beginning, but lost control of the game
Ben Foster: Being a goalkeeper, you think: Lord, don't let Salah get through. He is one of the best players in the world at the moment
Neville about Manchester United: Ask Sulscher in a personal conversation if he would like to return last year's squad, and he will say yes
Pique organized the Balloon World Cup. It's simple: you can't drop 🎈 on the floor. Although who said just?!
Lacazette on the goal in the 95th minute: Arsenal showed character. I have to work to get time