Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Qeveria premton revolucion financiar mbështetës për të gjithë njerëzit në nevojë në Shqipëri

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh sot pas mbledhjes së qeverisë se “do të rritet dy herë më shumë ndihma ekonomike për shtresat në nevojë”.

Pas një periudhe të gjatë diskutimesh për buxhetin e vitit 2022, sot qeveria shqiptare mori vendimin për miratimin e projektbuxhetit 2022, krahas politikave të reja dhe programeve që do të hyjnë në fuqi gjatë vitit që vjen.

Këto politika të reja dhe programe që do të zbatohen gjatë vitit 2022 do të influencojnë direkt në mbështetjen e qytetarëve në nevojë.

“Programi i ndihmës ekonomike do të ketë një rritje prej 10 %. Ndërkohë do të ketë politika të shënjestruara për familjet që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike dhe janë familjet me mbi tri fëmijë nën 18 vjeç që do të kenë një rritje të ndihmës ekonomike me dy herë. Do të vijojmë të mbështesim fëmijët pa prindër duke ua dyfishuar këtë ndihmë ekonomike. Ndërkohë që edhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara do të rritet me tri herë masa e ndihmës ekonomike”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, vijoi ajo, “për shtresat në nevojë 45 milionë usd do të alokohen nga buxheti i shtetit për subvencionimin e energjisë elektrike. Ndërsa do të ketë rritje për pagat e personelit mjekësor-infermieror në masën 6 %”.

“Ashtu si kemi mbështetur personelin mjekësor për rritjen e pagave, gjithashtu do të vijojmë me këtë politikë duke vijuar në vitin 2022 me rritjen prej 6 %, kjo rritje futet në fuqi në datën 1 korrik të vitit 2022. Ndërkohë që do të vijojmë të garantojmë furnizimin me vaksina, duke vendosur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë të gjithë buxhetin e nevojshëm për të garantuar vaksinat e nevojshme”, tha Manastirliu.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.