Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Rama: Orët e informatikës s’do jepen më nga mësues fizike, mësimi nga ekrani, programi për sportin dhe zejet

Qeveria ka futur në projekt-buxhetin e vitit 2022 një program për laboratorët në shkolla dhe zhvillimin e orëve të informatikës nga profesionistë dhe jo mësues të lëndëve të tjera që u japin fëmijëve këtë orë mësimore, si shtesë.

Rama u shpreh nga Durrësi ku u takua me nxënës të disa shkollave 9-vjeçare, se këto dy tema janë shqetësimet kryesore në të gjitha shkollat ku ai është ndalur për zhvillimin e këtij turi të ndërmarrë nga ministria për Rininë dhe Fëmijët.

Kreu i qeverisë nënvizoi se nga orët që do të zhvillohen përmes ekranit, nuk do të përfitojnë vetëm nxënësit por edhe mësuesit e shkollave të pakualifikuar në fushën e informatikës. Ai foli edhe për nismën për futjen e programit të zejeve dhe sportit në shkolla, në mënyrë që jeta e nxënësve të mos jetë vetëm në klasë dhe në celularë, por të lidhet dhe me punën e duarve, kreativitetin dhe sportin.

“Disa pika që kanë qenë të kudondodhura në takimet e kryera, janë trajtuar sot për t’u adresuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Një çështje që ngrihet kudo është çështja e cilësisë së ulët të mësimit të informatikës. Klasat e informatikës nuk janë në lartësinë e duhur dhe nuk ofrojnë mësim cilësor ku të mos mësohet mekanikisht por në mënyrë kreative dhe në mënyrë praktike. Një temë tjetër që nuk e dëgjova këtu sot por mbase do ju tingëllojë shumë familjare, është mungesa e cilësisë së orëve në laboratore sepse laboratorët nuk janë të pasur. Nxënësit ankohen për pamundësinë që të kenë një mësim në laborator që të jetë tërheqës dhe informues. Një temë tjetër është ajo e edukimit mjedisor.

Kriteri për këto takime ka qenë rezultati në zgjedhje. Mund të dëgjosh edhe disa aspekte kritike të orës së mësimit. Arritja e maksimumit, të bën të kërkosh më shumë dhe të bën të dyshosh te maksimumi që të kanë vendosur. Një tjetër temë që këtu mbase është edhe e lidhur me mjedisin ku jeni, është tema e programeve pas mësimit ku dikush ngriti çështjen e profilit muzikor për shkak të lëndës që ka zgjedhur edhe lidhjen me letërsinë. Sot ne vendosëm që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë me financim çështjen e laboratorëve dhe orëve të informatikës.

Në një pjesë të shkollave edhe vetë mësuesit janë matematike, fizike që bëjnë plotësim orësh. Është e vlerësueshme ato që ata bëjnë nga pikëpamja e angazhimit por ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të jetë objektiv afatshkurtër, duke i dhënë mundësi nxënësve që të marrin një mësim kreativ, tërheqës dhe cilësor duke shfrytëzuar një mësim që të gjithë e kemi marrë nga periudha e mbylljes që na ka treguar që nuk është e domosdoshme që të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të ndarë dijet, shqetësimet dhe opinionet tona që do të thotë që sistemin e dhënies së dijes për informatikë, objektivin ta nisim që në klasë të parë.

Do ta bëjmë një sistem të qendërzuar ku nga lidhja në distancë, nxënësit të marrin një pjesë të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë, që do të organizohen në një skuadër qendrore. Me një koordinim oraresh, mësimi mund të jepet lehtësisht përmes ekranit. Nxënësit mund të kenë një mësues në distancë, dhe mësuesi i klasës mund të trajnohet vetë për një proces mësimor të veçantë. Kemi diskutuar vendosjen në dispozicion të orëve të artit dhe zejeve dhe programin e sporteve me një financim të veçantë. Hyn edhe vullnetarizmi brenda. Jeta e të rinjve të mos jetë e mbyllur në klasë, por të jetë një jetë e lidhur edhe me punën e duarve dhe imagjinatën”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

o.j/dita