TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer 1 848 634 vaksinime antikovid në gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa publikoi mbrëmjen e së martës shifrën e vaksinimit në total.

Manastirliu tha se vetëm ditën e sotme janë kryer 5 973 vaksinime antikovid.

Dje mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza”  edhe 117,000 doza të vaksinës “Pfizer”, pjesë e kontratës së dytë prej 500 mijë dozash që do të vijnë brenda vitit.

2,379,960 vaksina antikovid kanë mbërritur deri tani në vendin tonë.

Vaksinimi antikovid vijon në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar, çdo ditë të javës, ku çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të vaksinohet me kartën e identitetit.

Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.