Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Shqipëria përparim me reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, Vetingu rezultate në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ “Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke rezultuar në përparim të mirë”, thekson Komisioni Evropian në progresraportin e prezantuar sot në Parlamentin Evropian.

KE thekson se “sistemi gjyqësor i Shqipërisë është gjithashtu i përgatitur në mënyrë të moderuar. Në veçanti, ajo arriti një moment historik të rëndësishëm në fund të vitit 2020, me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese. Me shtatë gjyqtarë në detyrë, Gjykata Kushtetuese rifitoi kuorumin e nevojshëm prej minimalisht gjashtë anëtarësh për të mbajtur seanca plenare, duke u bërë kështu plotësisht funksionale”.

Gjykata Kushtetuese, thuhet në progresraport ka filluar të ushtrojë plotësisht funksionet e saj, duke përfshirë gjykimin mbi mosmarrëveshjet kushtetuese midis institucioneve shtetërore për kompetencat përkatëse.

KE vlerëson se progresi vazhdoi edhe në emërimet në Gjykatën e Lartë. “Gjykata e Lartë rimori kuorumin në mars 2020. Me promovimin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i gjashtë gjyqtarëve të rinj në mars dhe korrik 2021, ajo ka arritur në nëntë gjyqtarë në detyrë, gjë që e bën atë plotësisht funksionale”.

Gjithashtu, KE vë në dukje se “parlamenti miratoi ndryshimet në dhjetë ligje, që synojnë të forcojnë më tej efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe kapacitetin e tij për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

“Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin. Deri më 15 shtator 2021, institucionet e verifikimit kishin përfunduar 437 raste në shkallë të parë, duke përfshirë të gjitha dosjet përparësore. Nga 437 vendimet, 298 janë përfundimtare (pra pas apelimit). Në përgjithësi, 62 për qind e dosjeve të verifikimit, të përpunuara deri tani, kanë rezultuar në shkarkime dhe përfundime kryesisht për shkak të dorëheqjeve nga vlerësuesit. Institucionet e verifikimit pritet të vazhdojnë t’u referohen shërbimeve të prokurorisë të gjitha rastet kur ka të dhëna për vepra penale”, thekson KE.

Në progresraport vlerësohet puna dhe ecuria e SPAK.

“Struktura e specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria Speciale (SPO) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) janë funksionale, një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Ndërsa buxheti i vitit 2021 parashikon emërimin e 20 prokurorëve, SPO ka arritur objektivin e parë të 15 prokurorëve, përfshirë Kryeprokurorin Special. Raundi i parë i rekrutimit për hetuesit e BKH-së rezultoi në emërimin e 28 hetuesve, të cilët, pas një programi trajnimi intensiv, tani janë operacionalë. Një raund i dytë për të rekrutuar 32 hetues shtesë u hap në prill 2021 dhe pritet të përfundojë para fundit të vitit”, theksohet në progresraportin e KE-së.

KE nënvizon se “zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit është në rrugën e duhur. Edhe pse verifikimi i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, ai po jep rezultate në luftën kundër korrupsionit, sepse gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, si rezultat i verifikimit, dalin para drejtësisë. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një histori të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, edhe pse mbetet një objektiv që kërkon vullnet politik dhe veprime të mëtejshme të strukturuara dhe të qëndrueshme”.

“Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të Shtetit. Strukturat e specializuara kundër antikorrupsionit (SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) duhet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm të vendit për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze.

“Vendi vazhdoi të zbatojë Planin e Veprimit të Taskforcës së Veprimit Financiar (FATF) për të përmirësuar efektivitetin në fushën e pastrimit të parave dhe paketën e masave parandaluese të përkohshme për të rritur kapacitetin e tij për të kundërshtuar organizatat kriminale (Operacioni Forca e Ligjit) gjatë gjithë vitit. Shkëmbimi i informacionit cilësor dhe operacionet e përbashkëta policore, që përfshijnë partnerë ndërkombëtarë, u intensifikuan më tej”, thuhet ndër të tjera në progresraport.

/e.vokopola/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.