TIRANË 28 tetor /ATSH-I.Vata/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, regjistron procedimin penal për Fatmir Mediun.

Lajmi bëhet i ditur nga SPAK, ku informon se pas tërheqjes nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të Fatmir Mediut, ka regjistruar procedim penal për veprat penale, shpërdorim detyre.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.