Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

“Tenderi për Llogaranë i paracaktuar”, deputeti i PD denoncon me foto e paralajmëron padi në SPAK: Rama e Balluku takuan më herët CEO-n e firmës turke

Denoncimi i opozitës për tenderin e tunelit të Llogarasë është zhvendosur në sallën e Parlamentit ditën e enjte. Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu, e pyeti Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku se përse është takuar me CEO-n e kompanisë turke, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, katër muaj përpara shpalljes së tij.

Agalliu ka publikuar dhe disa fotot të Ramës dhe Ballukut me pronarin e kompanisë turke e cila fitoi tenderin që sipas demokratëve është oferta më e shtrenjtë e përzgjedhur për këtë punë publike.

“Shoh nëLinkedIn të CEO-s të kompanisë foto me kryeministrin dhe Ministren, 4 muaj përpara se të shpallet fituesi i tenderit. Besoj dhe shpresoj të jeni takuar për cështje pune në funksion të shqiptareve.

Pyetja është a keni takuar ndonjë drejtues tjetër të kompanive që kanë aplikuar për tender dhe të keni bërë foto? Megjithëse në të drejtën e tij nuk duket etike që një sipërmarrës i suksesshëm të mbaj foto profili, LinkedIn për më tepër, presidentin e vendit të vet. A mos vallë është kjo kthim qoke, së bashku me dronat, për spitalin “dhuratë”?- pyeti deputeti i PD.

Nga ana e saj, ministrja Balluku iu përgjigj akuzave dhe pyetjes duke u shprehur se: “Verifikojeni mirë foton se nuk është foto në zyrat e ndonjë kompanie, është vizitë zyrtare në Ankara dhe me të thënë të drejtën unë nuk mbaj asnjëherë shënime apo listën me kë takojmë apo bëjmë fotot. Prandaj verifikojeni mirë”.

Edhe deputeti PD-së, Bujar Leskaj, hodhi akuza se përse ishte zgjedhur oferta më e lartë për këtë tender, ndërsa theksoi se opozita do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, duke mbështetur dërgimin në SPAK.

“Ministria e Infrastrukturës për tunelin e Llogorasë zgjodhi ofertën më të lartë 170 milionë euro dhe me të drejtë deputeti i Shkodrës, Helidon Bushati, e denoncoi këtë fakt duke paralajmëruar për kallëzimin penal për 12 milionë euro. Më vjen mirë që këtu është dhe ministrja, dua t’ju kujtoj deputetë që në mars të vitit 2021 ky prokurim, ministria, autoriteti përgjegjës ka refuzuar një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një kompanie turke nëse do bëjmë këtë llogari. PD-ja dhe të gjithë ne deputetët e Vlorës do i shkojmë deri në fund”, shtoi Leskaj.

Por, akuzave të opozitës, për tunelin e Llogorasë dhe paralajmërimit nga PD-ja se këtë çështje do ta dërgojë në SPAK, ministrja Balluku u është përgjigjur duke thënë se janë të lirë ta çojnë në SPAK, pasi dosjet sipas saj janë transparente. Ministrja nënvizoi se ofertën e parë e refuzuan sepse nuk plotësonte dokumentat.

“Nëse PD-ja ka në plan ta çojë në SPAK, le ta çojë. Si qytetar duhet të jeni të lumtur që do të ndërtohet tuneli i zonës tuaj ku dhe keni konkurruar. Duhet të jeni më i saktë kur akuzoni, pasi thatë që në tenderin e parë nuk plotësonte dokumentet. Dhe në detyrën që keni qenë, së pari kontrollonit dokumentet. Kur nuk ka asnjë lloj letre, duhet ta japim thoni ju? Unë mendoj që jo. Vlerësimi është me pikë dhe vlerësohet pjesa e parë që ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme. Dosjet janë transparente dhe mund t’i dërgoni në SPAK”, ka thënë Balluku.