Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Trashëgimia kulturore në fshatrat e minoritetit, ndër prioritetet e bashkisë Finiq

TIRANË, 18 tetor /ATSH/  Evidentimi, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore në fshatrat e minoritetit grek, përbën një nga fokuset e punës së Bashkisë Finiq.

Krahas punës për përmirësimin e infrastrukturës, një rëndësi po merr për herë e më tepër në këtë Bashki puna për promovimin e trashëgimisë kulturore artistike në Qendrën Kulturore “Katina Pappa” në Livadhja, e cila u përfundua pak kohë më parë nëpërmjet programit ndërkufitar “Rhythm”.

Ndërkaq, trashëgimia kulturore në fshatrat e minoritetit grek në Shqipëri është edhe në vëmendjen e përhershme të Ambasadës së Greqisë në Tiranë. Në këtë kuadër, ambasadorja e Greqisë në Tiranë Sofia Filippidou e shoqëruar nga kryebashkaiku Kristo Kiço në Bashkinë Finiq, zhvilloi një vizitë pune dhe takime me drejtues të Shoqatës Kulturore “Shën Kozmai” ne Livadhja, në mjediset e Qendrës Kulturore “Katina Pappa”.

Në këtë takim kryetarja e Shoqatës, Aneta Gudi e ka njohur diplomaten greke me aktivitetet e Shoqatës dhe vizionin për të ardhmen.

Me interes në investimet në fushën e trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Finqit është ngritja e një Muzeu të Kulturës dhe Trashëgimisë në fshatin Dhrovjan, i përzgjedhur edhe në programin e Qeverise “100 fshatra”, për trashëgiminë.

Gjatë një vizite në fshatin Dhrovjan, ambasadorja Filippidou, e shoqëruara nga kryetari i Bashkisë Kiço dhe kryetari i fshatit, Pavllo Zoto, u njoh në këtë fshat me një numër objektesh të trashëgimisë kulturore që datojnë 200 vitet e fundit.

Në fshatin turistik malor të Dhrovjanit dhe në fshatra të tjerë të kësaj bashkie, veprat e trashëgimisë kulturore kanë një impakt të rëndësishëm në fushën e turizmit dhe rivitalizimi i tyre përmes zbatimit të projektit MileSTONES III, me financim nga BE, do të zgjojë interes të shtuar nga turistët e huaj për t’u vizituar.

Bashkia Finiq, pjesë e qarkut të Vlorës, me 5 njësi administrative, Finiq, Livadhja, Mesopotam, Dhivër, dhe Aliko përbëhet nga 58 fshatra që bartin histori dhe kulturë të çmuar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.