Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vaksinimi i studentëve, Rama: Universitetet vendosin nëse do t’i pranojnë të pavaksinuarit

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në hollet e universiteteve do të vijojnë të qëndrojnë vaksinatorët për ti bërë të mundur çdo studenti të vaksinohet.

Gjatë një interviste në medie, Rama tha se u takon rektorëve të Universiteteve të vendosin nëse do të pranojnë apo jo studentët e pavaksinuar në auditore, por ai theksoi se nuk shkohet në auditore si në një lotari.

“Mendoj se nuk duhet të kalojmë në ekstrem që në momentin e parë, sepse ky është një proces ku ka shumë interferencë nga njerëz që ju jepet e drejta për të folur, pa patur kompetencë për këtë temë dhe përhapin teori të ndryshme konspiracioni”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh më tej se ky proces duhet bërë me këmbëngulje nga ana e Universiteteve dhe rektorëve që të shfrytëzohen disa javë që janë përpara.

“Shumë prej atyre vajzave dhe djemve që janë studentë kanë nevojë edhe për pak inkurajim, siguri apo mbështetje. Në hollet e universiteteve do të jenë në dispozicion vaksinatorët. Ata nuk duhet të marrin pjesë në mësim, por kjo është një çështje e autoriteteve, sepse qeveria nuk mund të çojë në universitet forca për t’i ndaluar. Nuk është ky misioni i qeverisë. Rektorët janë të vetëdijshëm që ky proces duhet kryer. Është e drejtë e atyre që janë vaksinuar të jenë në një mjedis të sigurtë dhe vet Ministria e Arsimit do të vazhdojë ditë pas dite të nxisë studentët”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për trendin e vaksinimit në vend. Ai theksoi se është ndjekur një politikë liberale përgjithësisht duke patur parasysh se u garantua vaksina shumë shpejt.

“Gjithçka ka shkuar mirë. Kaluam një sezon veror me një numër infeksionesh të ulët. Kjo ka krijuar një lloj relaksi se këtu nuk ka problem, por ndërkohë mund të ndodhë që të infektohesh”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit Rama, numri i fataliteteve është mbi 95% te individë të pavaksinuar. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.