TIRANË, 19 tetor/ATSH/ -Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi prezantoi sot në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian paketën e zgjerimit 2021.

“Vonesa në nisjen zyrtare të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pati një ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së. Çështjet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhen urgjentisht”, u shpreh Varhelyi në një reagim në Twitter.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Evropë. Ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtin kontinent, të njëjtat interesa dhe të njëjtat vlera. BE nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

“Është thelbësore që shtetet anëtare të BE -së të miratojnë kornizat negociuese në mënyrë që konferencat e para ndërqeveritare të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, ende këtë vit. Kjo është thelbësore për besueshmërinë e BE-së.”, u shpreh Varhelyi.

a.jor/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.