Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vdekja e paralajmëruar e ARMO-s!

Nga Pajtim Bello

Mësova se ARMO po shitet si skrap dhe nën boshllëkun e një ndjesie njerëzore psherëtiva: Vdiq! Ndokujt i duket çudi që thuhet Vdiq për një dinosaur që për eshtra ka kulla, kapriata dhe për deje rrjete tubacionesh të gjitha metalike, për stomak rezervuar të mëdhenj; gjithçka metalike, më së shumti çeliqe special dhe metale të rralla.

Ndoshta për ndokën dosido, por jo për ata që e njohin dinozaurin që quhej Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës dhe shkurt thirrej UPTHN. Në atë dinozaur janë mëshiruar djersa, mund dhe mëndja e ndritur e qindra naftëtarëve, njerëz të lavdishëm që vinin në punë dinosaurin gjigant ku çdo sekond në barkun e tij injektohej nafta shqiptare dhe dorë pas dore nga njeri repart në tjetrin prej rafinimit dilnin nënproduktet e sajë që mbanin në këmbë një ekonomi të tërë. Dhe kjo për vite e vite me radhë.

E pra, gjiganti metalik është më shumë njerëzor; i gjithë prej kocke, mishi e gjaku se sa prej metali. Një flakë zjarri maj një oxhaku dhe nuk fikej kurrë, që vështroja sa herë udhëtoja nga Fieri për në Gjirokastër në rrugën e vjetër, simbolizonte lavdinë e njerëzve që dinin ta vinin në lëvizje dhe bënin të dobishëm gjigantin metalik. Dhe kjo kur çdo gjë kur e parë së jashtmi por nëse hyje brenda kuptoje se ishe në një botë tjetër. Takoje specialist të të gjitha niveleve nga punonjës me kategori profesionale, teknikë dhe inxhinierë të githë mendje dhe duar artë.

Lavdia e tyre shtohej kur shikoje ku punonin. Shkallën e lartë, delikate dhe e vështirë e teknologjisë të impononte një respekt në rritje. E pikërisht për mua dhe ata që e kanë njohur UPTHN ndjejnë dhimbje dhe thonë: Vdiq! Dhe vdekja e sajë ishte e paralajmëruar. Ajo ranë vitet 1995-1996 por gjeti forca dhe u ringrit. Ishin njerëzit e sajë të cilët iu përkushtuan, e kuruan imtësisht dhe e shpëtuan, flaka mbi oxhak u rindez. Gjiganti metalik nisi të marrë frymë. Por nuk qe e thënë. Vdiq por jo se u shua vet. E qëlluan befasisht dhe keqas.

Kjo ndodhi në pranverën e vitit 2008. Plagë e rëndë që u kthye në gangrenë. Vuajtje e poshtërim vit pas viti deri sa u rrëzua, mbylli sytë. Dëgjoj baballarët e Kombit që kacafyten të irrituar se dikush paska publikuar foton e Enver Hoxhës apo në një emision teatral na qenka satirizuar ish prefekti Qazim Mulleti. Aferim o baballarë! Pa qetësohuni dhe ktheni sytë nga një gjigant që ka vdekur. Më të po varroset një lavdi e madhe, një pasuri e madhe.

Si juve nuk gjeni kohë, të paktën, të thoni një përshpirtje për të?! Sikur të mundesha atë gjigant ta merrja në duar, si Statujën e Lulit të Vocërr, t’iua sillja në tavolinat tuaja. Ndoshta do ti kujtonte diçka, mbase iu bënte të ndjenit për të dhe për ata teknologë nafte që iu prenë krahët, iu vranë krenarinë e tyre. Po sikur të mund ta çoja në tavolinën e foltores se Sali Berishës dhe ti thosha: “Merre, o i Pashpirti i pabesë! Ti e qëllove për vdekje.

Na thuaj ç’pate që e vrave?! Mos na gënje se të pamë të gjithë. Ishe ti, por jo vetëm. Bile nuk mungoi as zonja juaj ti jepte një brryl drejt vdekjes. Mbase njerëzit që të duartrokasin do të ndalojnë dhe të mbajnë një minutë heshtje për nder të sajë.

A thua do të bëjnë? Vetëm në mos qofshin prej mishi e gjaku.”. O more ku je!.. Sa poshtë kemi rënë, me çfarë nuk merremi, deri edhe me njerëz të marrë. Marrëzinë e brohorasim për lavdi, i ngremë përmendore. Lavdinë e poshtërojmë, e varrosim për së gjalli.