Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vdekshmëria nga COVID-19, Meta: Shifrat të analizohen nga Komiteti Teknik i ekspertëve

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje sot Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë të dhënat e FMN-së mbi vdekshmërinë nga COVID-19.

“Renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE”, u shpreh Meta në një reagim.

“I bëj thirrje, Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët”, theksoi ai.

“Duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve. Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë”, tha Meta.

Në 2020-n, vdekjet shtesë ishin mbi 20% më të larta së mesatarja e viteve 2015-2019 sipas një grafiku të fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në “Pasqyrën Rajonale Evropiane të tetorit 2021”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.