Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vetingu i politikanëve, Rama: Do të ulemi në tryezë me opozitën

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është gati të ulet në tryezë me Partinë Demokratike për të biseduar për vetingun e politikanëve.

“Nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë, për të respektuar një parim, që e kemi vendosur vetë që në fillim, që ne jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë. Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Në 2018 ka patur një propozim. Janë tre vite, në tre vite argumentet evoluojnë. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën”, u shpreh Kryeministri Rama në një prononcim për mediet pas mbledhjes me krerët e degëve të PS, në selinë rozë.

Rama tha se cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës në një vend, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord.

“Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile. E kam thënë që cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës në një vend, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar normalisht. Ne duam këtë të dytën”, deklaroi Kryeministri Rama.

Rama u pyet edhe lidhur me propozimin e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për mbetjet.

“Nesër unë do të votoj, siç është marrë vendimi. Nuk kam dëgjuar që ka ndonjë votë kundër, kështu që besoj se do të votohet. Mosdakordësitë mes palëve janë normale, diskutohen, çfarë mund të realizohet, realizohet”, tha ai.

Lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike pas përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar, Rama tha se, “nuk kam koment në lidhje me çfarë po ndodh në fushën e PD-së, por di të them se nëse do të ishin mbledhur humoristët e satiristët e këtij vendi për të shkruar një pjesë me shumë seri se si PD-ja mund të katandisej në një objekt keqardhjeje e humori të zi është ajo e PD-së”, u shpreh Rama.

Lidhur me situatën në Krujë, ku u raportuan raste qytetarësh me shenja helmimi, kryeministri Rama tha se çështja është në hetim administrativ. “Qeveria ka bërë investimin për ndërtimin e ujësjellësit. Ujësjellësi vetë ka detyrimin që uji të jetë në të gjitha parametrat. Çështja është në hetim administrativ për të kuptuar çfarë ka ndodhur”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.