Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vota për para-kërcënim me jetë, në prag të zgjedhjeve lokale

Një ditë para zgjedhjeve lokale, organet hetuese raportojnë për kërcënime për jetën e kandidatëve për kryetarë komune dhe blerje votash. Prokuroria njoftoi se njëri nga kandidatët për kryetar të Prilepit dhe familja e tij kanë marrë kërcënime për jetë. Kërcënimet janë dërguar përmes rrjetit social “Facebook” nga një 27-vjeçar nga Prilepi, ndaj të cilit është caktuar paraburgim prej tetë ditëve.

Dje, personi i denoncuar është privuar nga liria në pikën kufitare Tabanoc gjatë hyrjes në vend dhe është ndaluar për bisedë informative në prokurori”, thonë nga Prokuroria.

Policia në Draçevë mbrëmë ka arrestuar katër persona të moshës 26 deri në 50 vjeç, të cilët i kanë vërejtur se kanë ofruar të holla në këmbim të votave për zgjedhjet lokale. Tek të dyshuarit janë gjetur 121,000 mijë denarë dhe 250 euro.

Prokurori publik është informuar dhe pas marrjes së urdhrave të gjykatës, janë kryer kontrolle në shtëpitë e personave, të njëjtit janë ndaluar në stacionin policor për procedime të mëtejshme”, theksojnë nga MPB.

Në Llozovë, nga ana tjetër, një votë është blerë për 3.000 denarë. Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka kryer ryshfet kurse prokurorët kanë hapur rast kundër katër personave të dyshuar për marrjen e parave në këmbim të votave.

Më 15 tetor 2021, në komunën e Llozovës, i dyshuari është vërejtur duke u dhënë para qytetarëve për të votuar për një kandidat të pavarur. Dokumentacioni dhe paratë që u gjetën në posedim të të dyshuarit janë konfiskuar me vërtetim. I dyshuari është ndalur në stacion policor”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria ka formuar Komision të përkohshëm për vëzhgimin e parregullsive të mundshme në zgjedhje. Do të monitorohen të gjitha veprat e mundshme penale që cenojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe përbëjnë shkelje në bazë të Kodit Penal.